Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj deklarimit të deputetit Avni Dehari, i cili kërkoi marrëveshje politike mes partive para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Deliu-Kodra e ka cilësuar si “skandaloz” arsyetimin e Deharit se vazhdimi i seancës mund të rrisë tensionet dhe rrezikun për përplasje fizike mes deputetëve.
“Seanca nuk thirret sepse ‘mund të ketë konflikt fizik’?!”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Sipas saj, Kuvendi duhet të funksionojë edhe në raste kur partitë politike nuk pajtohen, pasi debati dhe votimi janë pjesë e funksionimit parlamentar.
“Kuvendi nuk funksionon vetëm kur partitë pajtohen. Përkundrazi, ekziston pikërisht sepse partitë nuk pajtohen: debatojnë, propozojnë dhe votojnë”, ka deklaruar ajo, transmeton Klankosova.tv.
Deliu-Kodra ka kritikuar edhe rolin e kryesuesit të seancës, duke thënë se ai nuk mund ta kushtëzojë vazhdimin e punës së Kuvendit me arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Thirre seancën. Respekto rregulloren. Lëri deputetët të votojnë. Kaq është puna”, ka përfunduar reagimin e saj./Klankosova.tv


