Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për Top Channel, disa ditë para se në Hagë pritet të shpallet vendimi në procesin gjyqësor ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thaçi ka folur për të kaluarën e Kosovës, proceset politike në vend dhe nevojën që fokusi i institucioneve të zhvendoset nga historia drejt forcimit të shtetit dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.
Sipas tij, historia e rezistencës dhe luftës për çlirim do të mbetet pjesë e pandashme e kujtesës kombëtare, pavarësisht interpretimeve që mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
“Vlerat e rezistencës për çlirim dhe shtet do të kapërcejnë procese e procese, do të kapërcejnë mandate liderësh, kryeministrash e presidentësh. Pra, do të jetojnë dekada, shekuj e mijëvjeçarë në historinë e kombit shqiptar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se historia e Kosovës, sikurse historia e çdo kombi tjetër, do të vazhdojë të interpretohet dhe riinterpretohet, por kjo sipas tij nuk nënkupton se ajo mund të tjetërsohet.
Thaçi ka bërë thirrje që Kosova të mos mbetet e përqendruar vetëm te e kaluara, duke e lidhur këtë me nevojën për stabilitet institucional dhe zhvillim ekonomik.
“Kosova kishte shumë histori, por i mungonte liria dhe shtetësia. Sot është koha që Kosova të merret më pak me histori e më shumë të punojë për stabilitetin shtetëror dhe mirëqenien qytetare”, është shprehur ai.
Sipas ish-presidentit, përqendrimi i tepërt te historia mund të ndikojë edhe në zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit.
“Sa më shumë merremi me histori, aq më gjatë do të vazhdojnë deformimi politik dhe stanjacioni ekonomik”, ka deklaruar Thaçi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


