Tuesday, June 30, 2026
spot_img
HomeLajmeTetë familje në zi për vetëm tri ditë: Fundqershori i tragjedive në...

Tetë familje në zi për vetëm tri ditë: Fundqershori i tragjedive në Kosovë!

Aksidente trafiku, vrasje, goditje nga rryma elektrike dhe ngjarje të tjera tragjike i morën jetën nëntë personave brenda vetëm 72-orëve të fundit, duke e bërë fundjavën dhe fillimin e kësaj jave ndër më të rëndat për nga numri i viktimave.

Qetësinë e së dielës e trazoi fillimisht vdekja e një motoçiklisti në rrugën “Tirana” në Gjakovë, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku, raporton Klankosova.tv.

Drejtori rajonal i Policisë së Trafikut në Gjakovë, Albin Sahatqija, e konfirmoi për Klankosova.tv aksidentin e rëndë për të cilin edhe dha detaje.

“Ka ndodhur rreth orës 02:20. Motoçiklisti nuk iu ka përshtatur shpejtësisë dhe e ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trotuarin. Si pasojë e shpejtësisë, ai është gjuajtur mbi veturën e cila ka qenë duke lëvizur në shiritin e vet”, deklaroi ai.

Por ky ishte vetëm fillimi i një fundjave tragjike!

Pak orë më vonë, në fshatin Maznik të Deçanit, babë e bir, Xhemajl Mustafaj dhe Hasan Mustafaj, humbën jetën pasi dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike derisa po pastronin veturën në oborrin e shtëpisë së tyre.

“Pas dёrgimit nё emergjencёn e spitalit rajonal nё Pejё, nga ekipi mjekёsor rreth orёs 21:20, ёshtё konstatuar vdekja e dy vikimave. Me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, viktimat janё dёrguar nё institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion, rasti vazhdon tё hetohet nga njёsitet kompetente”, tha Policia, transmeton Klankosova.tv.

Mbrëmja e së dielës solli edhe një tjetër viktimë.

Ferizaj, një burrë mbeti i vrarë pas një përleshjeje ku dyshohet se u përdor armë zjarri. Rasti ndodhi rreth orës 22:50 në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi për Klankosova.tv se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore.

“Ju njoftojmë se rreth orës 22:50, në rrugën ‘Sejdi Sejdiu’ në Ferizaj, ka ndodhur një përleshje ku dyshohet se është përdorur arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, përfshirë NJRSH-në dhe hetuesit e stacionit policor në Ferizaj”, deklaroi ai.

Kur pritej që java e re të niste më qetë, bilanci tragjik vetëm sa u thellua.

Një vajzë e re nga fshati Damanek i Malishevës, Rina Krasniqi, humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku në Gjermani. Për vdekjen e saj raportuan fillimisht mediat lokale të Malishevës, ndërsa më pas lajmi u konfirmua edhe nga faqja e fshatit Damanek në Facebook.

Vetëm pak orë më pas, jetën e humbi edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Zenel Gashi, si pasojë e një aksidenti trafiku.

Policia e Kosovës bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 02:30, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Vërmicë, në komunën e Prizrenit. Sipas hetimeve fillestare, zyrtari policor 59-vjeçar ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikëkalimit kufitar dhe në një moment kishte tentuar të kalonte rrugën.

Por tragjeditë nuk u ndalën as gjatë ditës.

Në fshatin Dobërçan të Gjilanit, një person humbi jetën pasi dyshohet se ra në një bunar gjatë pastrimit të tij.

Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për Klankosova.tv se rasti është raportuar më 29 qershor, rreth orës 14:23.

“Më datën 29.06.2026, rreth orës 14:23, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një thirrje lidhur me një rast në fshatin Dobërçan. Njësitet patrulluese i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se një person ka rënë në një pusetë derisa ishte duke e pastruar atë”, deklaroi Hashani.

E kur dita po shkonte drejt fundit, një tjetër familje u përball me tragjedi!

Në fshatin Zlipotok të Dragashit, një përleshje mes disa personave përfundoi me pasoja fatale. Viktimë mbeti 47-vjeçari Gazmen Tairovci, imam i këtij fshati, i cili dyshohet se u godit me një mjet të mprehtë.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi më 29 qershor rreth orës 23:15. Viktima u transportua për trajtim në QKMF-në e Dragashit, ku mjeku kujdestar konstatoi vdekjen, ndërsa i dyshuari tashmë është arrestuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Byqyti, tha për Klankosova.tv se ekipi mjekësor kishte dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk kishte mundur t’ia shpëtonte jetën viktimës.

Por, as e marta e sotme nuk e ndërpreu zinxhirin e ngjarjeve të dhimbshme.

Një grua 71-vjeçare humbi jetën pasi ra në një bunar në fshatin Koshare.

Lajmin e konfirmoi për Klankosova.tv zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rreth orës 13:00 policia ishte njoftuar se një grua kishte rënë në një bunar.

Në vendin e ngjarjes intervenuan policia, hetuesit, krim-teknikët rajonalë, Brigada e Zjarrfikësve, e cila nxori trupin nga bunari, si dhe ekipi i Emergjencës së Ferizajt, që konstatoi vdekjen e 71-vjeçares.

Brenda vetëm tri ditësh, aksidentet në trafik, vrasjet, goditjet nga rryma elektrike dhe aksidentet fatale në rrethana të ndryshme lanë pas nëntë viktima, duke e bërë fundin e qershorit një nga periudhat më të rënda të ditëve të fundit./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT