Wednesday, August 26, 2026
spot_img
HomeLajmeAktakuza ndaj Shehollit për spiunazh, OVL e UÇK-së: Të trajtohet si çështje...

Aktakuza ndaj Shehollit për spiunazh, OVL e UÇK-së: Të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet vetëm si çështje e përgjegjësisë individuale, por të konsiderohet edhe në aspektin e sigurisë kombëtare të Kosovës.

OVL e UÇK-së ka theksuar se respekton prezumimin e pafajësisë dhe se fajësia mund të vërtetohet vetëm përmes një procesi gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent.

Megjithatë, sipas organizatës, akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e pretenduar me BIA-n e Serbisë, kërkojnë nga institucionet që të hetojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe rrugë të mundshme të përcjelljes së materialeve të ndjeshme.

“Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së vlerëson se Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Po ashtu, organizata ka kërkuar nga institucionet që të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale që lidhen me luftën çlirimtare të UÇK-së.

Sipas OVL e UÇK-së, kjo kërkesë nuk synon ta barazojë aktakuzën ndaj Shehollit me proceset që zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, por kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të kenë pasoja politike, institucionale apo gjyqësore.

“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999”, thuhet më tej, duke theksuar se kjo betejë vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të historisë.

Në fund, OVL e UÇK-së ka kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe sigurisë t’i ndjekin provat kudo që të çojnë.

“Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt”, thuhet në reagim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT