Gjermania e ka akuzuar Rusinë se qëndron pas një tentim-sulmi me dron në aeroportin Leipzig/Halle, në fillim të gushtit.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha të martën se incidenti përputhet me mënyrën se si, sipas tij, Rusia kryen operacione të fshehta në Evropë.
Ngjarja ndodhi natën e 4 dhe 5 gushtit. Pranë një avioni ukrainas të ngarkesave u gjet një dron që kishte pajisje shpërthyese. Policia përdori një robot për ta çaktivizuar atë.
Disa javë më vonë, pranë të njëjtit aeroport u gjet edhe një dron tjetër. Edhe në të u gjetën gjurmë të një substance shpërthyese.
Aeroporti Leipzig/Halle është i rëndësishëm për transportin e pajisjeve ushtarake nga Gjermania dhe vendet e NATO-s. Ai përdoret gjithashtu nga kompania ukrainase Antonov Airlines.
Pas incidentit, Gjermania njoftoi masa ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul tha se konsullata ruse në Bonn do të mbyllet deri më 18 shtator. Gjithashtu do të mbyllet edhe Qendra Ruse e Shkencës dhe Kulturës në Berlin.
Gjermania prej muajsh ka raportuar për dronë të dyshimtë mbi objekte ushtarake dhe industriale.
Ndërkohë, Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Gjermanisë për sulme dhe operacione të tilla.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, tha se Rusia po rrit sulmet hibride ndaj vendeve evropiane.
“Rusia dëshiron të na frikësojë që të mos e mbështesim Ukrainën. Nuk do t’ia dalë”, tha Kallas.
Ajo shtoi se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën dhe po përgatit sanksione të reja ndaj Rusisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


