Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë hapur kundër marrëveshjes së arritur me Lëvizjen Vetëvendosje, duke bërë të qartë se vota e saj në Kuvend nuk është pjesë e asnjë dakordimi të arritur nga drejtuesit e partisë.
Në një reagim të gjatë, Bajrami ka deklaruar se mbështetjen e marrë nga qytetarët nuk e konsideron mandat për të qenë thjesht “numër në Kuvend” dhe, aq më pak, për t’ia zgjatur pushtetin kryeministrit Albin Kurti.
“Nuk e kam deleguar votën te askush”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo thotë se është e papranueshme që, nën arsyetimin e zgjidhjes së krizës institucionale, LDK të bëhet pjesë e një marrëveshjeje që, sipas saj, ia zgjat pushtetin e koncentruar Kurtit.
Bajrami ka ngritur edhe një çështje tjetër brenda vetë LDK-së, duke bërë të ditur se emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e partisë.
Sipas saj, nëse për realizimin e marrëveshjes nevojiten votat e deputetëve të LDK-së, atëherë konsultimi me ta është dashur të bëhej para arritjes dhe publikimit të marrëveshjes, e jo pasi ajo t’u paraqitej si fakt i kryer.
“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së thotë se është kundër zgjedhjeve të reja, por kundërshton që shmangia e tyre të përdoret si arsye për t’i bindur deputetët të votojnë një marrëveshje për të cilën, sipas saj, nuk janë konsultuar.
Ajo ka qenë veçanërisht e ashpër ndaj idesë së koncentrimit të pushtetit, duke thënë se Kosova, krahas institucioneve funksionale, ka nevojë për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie.
“Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka përmendur edhe situatën rreth konstituimit të Kuvendit, duke pretenduar se zgjedhja e Presidentit nuk garanton vetvetiu shmangien e zgjedhjeve të reja.
Në fund, deputetja e LDK-së ka rikujtuar rezultatin e saj personal zgjedhor, duke e përdorur si argument se mandatin e marrë nga qytetarët nuk mund t’ia delegojë askujt tjetër.
“53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”, ka përfunduar Bajrami.
Reagimi i saj sinjalizon se marrëveshja politike në nivel liderësh nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe sigurimin e votave të secilit deputet të LDK-së në Kuvend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


