Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për dialog, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim rajonal pas zhvillimeve të fundit që kanë rritur tensionet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi.
Reagimi i Brukselit erdhi pasi autoritetet malazeze refuzuan hyrjen në vend të 87 shtetasve serbë që kishin mbërritur me një fluturim çarter, duke i konsideruar si rrezik potencial për sigurinë kombëtare. Pas këtij veprimi, disa qytetarë malazezë u kthyen mbrapsht nga pikat kufitare me Serbinë, duke shkaktuar përplasje diplomatike mes dy vendeve.
Komisioni Evropian konfirmoi se është informuar për vendimin e Podgoricës dhe theksoi se po ndjek nga afër situatën në kufijtë serbë. Zyrtarët evropianë u bënë thirrje palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të rikthehen në procedurat normale të lëvizjes ndërkufitare.
Ngjarjet po zhvillohen në kohën kur Mali i Zi po pret Samitin BE–Ballkani Perëndimor, një nga takimet më të rëndësishme politike të rajonit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi pjesëmarrjen në samit, megjithëse deklaroi se kishte marrë paralajmërime nga shërbimet e sigurisë serbe lidhur me rreziqe të mundshme gjatë qëndrimit të tij në Mal të Zi.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi siguroi se vendi mbetet një mikpritës i sigurt për të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar përkushtimin e Podgoricës ndaj standardeve të sigurisë si anëtare e NATO-s.
Samiti i këtij viti ka rëndësi të veçantë për Malin e Zi, pasi konsiderohet vendi më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Takimi përkon gjithashtu me 20-vjetorin e pavarësisë së shtetit malazez, një jubile që po shënohet me aktivitete të shumta zyrtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


