Monday, August 31, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Dyshohet se kandidatët kalonin testin e patentë-shoferit me kamera e...

Ekskluzive | Dyshohet se kandidatët kalonin testin e patentë-shoferit me kamera e dëgjuese – pronari i autoshkollës “Vicianumi” në mesin e të dyshuarve

Një skemë e dyshuar për manipulimin e testeve me shkrim për patentë-shofer është goditur nga Policia e Kosovës në Mitrovicë, pas disa muajsh hetime nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në këtë rast janë përfshirë në hetime Habib Kalludra, Florent Zeneli, Arizona Rushiti, Erion Geci dhe Afrim Geci, nën dyshimet për veprat penale që lidhen me pranimin dhe dhënien e ryshfetit në sektorin privat.

Në qendër të hetimeve është pronari i autoshkollës “Vicianumi”, për të cilin Policia dyshon se, në bashkëveprim me persona të tjerë, u ka mundësuar kandidatëve që t’i kalojnë në mënyrë të kundërligjshme testet teorike për patentë-shofer.

Sipas të dhënave të rastit, hetimet kishin nisur më 6 shkurt 2026, pasi Policia kishte pranuar informacione për mënyrën se si dyshohej se funksiononte skema.

Dyshimet janë se kandidatëve u vishej një maicë e pajisur me kamerë, ndërsa në vesh u vendosej një pajisje dëgjuese. Përmes kamerës, personat që ndodheshin jashtë objektit dyshohet se mund t’i shihnin pyetjet e testit, ndërsa përmes dëgjueses ua transmetonin kandidatëve përgjigjet e sakta nga distanca.

Hetimet e zhvilluara kishin çuar që më 3 prill në dorëzimin e një kallëzimi penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndaj dy personave të dyshuar.

Por operacioni ka marrë një kthesë vendimtare të hënën, më 31 gusht.

Sipas informacioneve të siguruara gjatë hetimeve, Policia kishte marrë vesh se dy kandidatë po përgatiteshin t’i nënshtroheshin testit me pajisjet e dyshuara të telekomunikimit.

Hetuesit kanë reaguar menjëherë dhe kanë ndaluar një Golf 8 ngjyrë hiri, ku gjatë kontrollit te kandidatët janë gjetur pajisjet e montuara që dyshohet se ishin përdorur për manipulimin e testit.

Sipas raportit, kandidatët ndërkohë kishin arritur ta kalonin testin për patentë-shofer.

Me kërkesë të Prokurorisë janë kryer më pas bastisje në Pantinë dhe Skenderaj, por gjatë kontrolleve nuk është gjetur ndonjë send tjetër i dyshuar.

Në cilësi të provave materiale, Policia ka sekuestruar pajisjet e telekomunikimit të gjetura te kandidatët dhe katër telefona mobilë.

Pas përfundimit të veprimeve policore dhe intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, katër persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti vazhdon të hetohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT