Friday, May 8, 2026
spot_img
HomeLajmeTenderët rreth 17 milionë euro të MPB-së që po ngrenë dyshime… (VIDEO)

Tenderët rreth 17 milionë euro të MPB-së që po ngrenë dyshime… (VIDEO)

Tenderi 16 milionësh i Ministrisë së Punëve të Brendshme për licenca të Microsoft-it është përfshirë nga polemika, ankesa dhe dyshime serioze për mënyrën se si është zhvilluar i gjithë procesi.

MPB-ja ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive “Infosoft Sistem” nga Shqipëria dhe “Infosoft Systems” nga Kosova, me ofertë mbi 16.7 milionë euro, ndonëse në garë kishte edhe një ofertë më të lirë nga kompania “Komtrejd Distribucija DOOEL” nga Maqedonia e Veriut, raporton Kiks Kosova.

Oferta tjetër u eliminua me arsyetimin se paraqet “rrezik potencial për sigurinë kombëtare dhe sigurinë kibernetike”, edhe pse kriteret e sigurisë nuk kishin qenë të specifikuara fare në dosjen e tenderit.

Sipas MPB-së, natyra e kontratës përfshin jo vetëm furnizim me licenca, por edhe përkrahje teknike, çka sipas Ministrisë mund të nënkuptojë qasje në sisteme shtetërore me rëndësi vitale.

Pikërisht mbi këtë bazë, Ministria pretendon se gjatë vlerësimit ka aplikuar “filtra sigurie”, duke analizuar strukturën e pronësisë, lidhjet ndërkombëtare dhe besueshmërinë e operatorëve ekonomikë.

Por kompania nga Shkupi e ka dërguar rastin në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), duke pretenduar se është eliminuar pa prova konkrete dhe me arsyetime të paqëndrueshme ligjore.

Në ankesë thuhet se kontrata ka të bëjë vetëm me licenca të Microsoft-it dhe jo me menaxhim të drejtpërdrejtë të sistemeve shtetërore apo qasje të pakontrolluar në infrastrukturë kritike.

Përveç eliminimit të ofertës më të lirë, dyshime ka ngritur edhe vetë mënyra se si është organizuar tenderi. Aktiviteti i prokurimit ishte publikuar më 26 shkurt 2026, ndërsa kompanive iu lanë vetëm rreth 16 ditë kohë për përgatitjen e ofertave, megjithëse Ligji për Prokurimin Publik parasheh minimum 40 ditë për kontrata të kësaj vlere.

MPB-ja e ka arsyetuar procedurën e përshpejtuar me skadimin e licencave ekzistuese, por sipas praktikave të prokurimit publik, kontrata të tilla planifikohen paraprakisht dhe skadimi i tyre konsiderohet proces i parashikueshëm.

Kjo është hera e dytë brenda pak vitesh që MPB-ja rekomandon të njëjtin grup biznesesh për tenderë milionësh të Microsoft-it. Në vitin 2023, ministria kishte lidhur kontratë afro 15 milionë euro përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit, duke ftuar vetëm kompaninë “Infosoft Systems”.

Edhe atëherë, arsyetimi kryesor kishte qenë “siguria kombëtare”, pasi një nga partnerët e autorizuar të Microsoft-it operonte nga Serbia.

Procedura kishte nxitur reagime të shumta politike dhe ankesa në OShP, ndërsa tashmë mësohet se kontrata e vitit 2023 është pjesë e interesimit hetimor të Prokurorisë Speciale.

Ndiqni më poshtë kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast:

 

Ndiqeni emisionin e plotë:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT