Një situatë e pazakontë është regjistruar mbrëmë në Lubeniq të Pejës, ku një zyrtar policor, ndonëse jashtë detyrës, ka ndërhyrë pasi ka vërejtur një shofer duke bërë lëvizje të rrezikshme në rrugë. Rasti më pas ka eskaluar në kërcënime ndaj policit, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, rreth orës 19:40, derisa zyrtari policor po udhëtonte me veturën e tij private, së bashku me familjen, nga Deçani në drejtim të Pejës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, polici, i cili ishte jashtë detyrës por ndodhej në uniformë, ka vërejtur një veturë të tipit Peugeot, drejtuesi i së cilës dyshohet se po bënte lëvizje të rrezikshme në rrugë që nga zona e Lëbushës.
Zyrtari policor e ka arritur automjetin dhe e ka ndaluar, ndërsa në vendin e ngjarjes më pas ka dalë edhe Njësia e Trafikut Rajonal.
Shoferi i dyshuar është Flamur Shkuliqi, rreth 42-vjeçar.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë alkooltestit të parë, Shkuliqi ka rezultuar me 0.67 promilë. Derisa zyrtarët e Trafikut po ia shqiptonin gjobën dhe po e njoftonin për konfiskimin e patentë-shoferit, situata dyshohet se ka eskaluar.
Sipas burimeve të Sinjalit, Shkuliqi dyshohet se ka filluar t’i drejtojë kërcënime zyrtarit policor që e kishte ndaluar. Edhe pas vërejtjeve nga polici dhe kolegët e tij që ndodheshin aty, i dyshuari dyshohet se është nisur me vrull në drejtim të tij, duke vazhduar me kërcënime ndaj jetës së tij.
Policia ka ndërhyrë dhe Shkuliqi është arrestuar, për t’u shoqëruar më pas në Stacionin Policor në Pejë.
Gjatë procedurave të mëvonshme atij i është bërë edhe një matje tjetër e alkoolit, e cila, sipas raportit policor, ka rezultuar me 0.41.
Pas intervistimit është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, me vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


