Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka publikuar një video në faqen e saj në Facebook, ku ka përmbledhur disa mesazhe të qytetarëve të cilët i kanë kërkuar kthimin e saj në LDK.
Ajo tha se ka shëtitur në mbarë Kosovën për muaj të tërë, dhe ka marrë porosi të ndryshme.
“Për muaj të tërë kam ecur nëpër çdo cep të Kosovës, jam mirëpritur në shtëpitë tuaja, kam dëgjuar hallet tuaja, kam parë zhgënjimin në sytë e njerëzve të ndershëm, por mbi të gjitha, kam parë një gjë që ende nuk është shuar: shpresën. Dhe kudo, në çdo fshat e qytet, në çdo tavolinë e çdo shesh, ju më folët me një zë”, tha Osmani, teksa publikoi mesazhet e qytetarëve që i bënin thirrje për kthim në LDK:
“Kthehu n’shpi tanë”, “Me u kthy në LDK”, “Të lutem kthehu”, ishin disa prej mesazheve të qytetarëve, ndërsa Osmani pamje ka publikuar edhe nga rezidenca e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, ku ish-Zonja e Parë, Fane Rugova i thotë: “Keni bërë një punë të shkëlqyeshme, sidomos në arenën ndërkombëtare”.
“Ju dëgjova, prandaj po bashkohemi. Për të nisur këtë rrugëtim të ri të bashkimit, ju ftoj nesër, të dielën, në orën 18:00, në AMC Hall. Le t’i bashkojmë zemrat dhe ëndrrat, le të bashkohemi të gjithë”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, njoftoi se ish-Presidentja Osmani do të jetë bartëse e listës së LDK-së, dhe kandidate për presidente, ndërsa ai vet do të jetë kandidat për kryeministër, për zgjedhjet e 7 qershorit. /Klankosova.tv
LDK miraton bashkimin: Abdixhiku kandidat për kryeministër, Osmani bartëse liste (VIDEO)


