Certifikimi i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, ka vënë në lëvizje partitë politike rreth formimit të institucioneve të reja të vendit.
Këtë të premte, kryetari i VV-së Albin Kurti, do të mbajë takim me liderin e PDK-së Bedri Hamzën, si dhe me kreun e LDK-së, Lumir Abidixhikun, ndërsa udhëheqësi i Aleancës, Ardian Gjini ka refuzuar ftesën e kryeministrin në detyrë, transmeton Klankosova.tv.
Gazetari Vullnet Krasniqi, në emisionin “Ora Shtatë” deklaroi se këto takime, sipas tij, do të zhvillohen sa ‘për sy e faqe’.
“Paraprakisht kjo është një kartë politike e Kurtit e cila vjen pas një muaji debat të opozitës, duke e problematizuar faktin që Kurti nuk po i thirrë në takim. Për mendimin tim kjo lloj ftese për takime është sa për ta krijuar një storie tjetër për zgjedhjet e ardhshme”, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër gazetari Sabri Agimi, në Klan Kosova tha se ftesa është bërë me vonesë.
“Ftesa është dashur të bëhej dhe të fillonin bisedimet porsa përfunduan zgjedhjet. Unë mendoj që lideri i VV-së, Albin Kurti, duke marrë parasysh që e kemi shtyrë kaq gjatë formimin e institucioneve është dashur qysh kanë përfunduar zgjedhjet dhe është dhënë rezultati preliminar, është dashur me diskutu seriozisht me krerët e partive të tjera politike”, tha Agimi.
E analisti Lulzim Veliu, në emisionin “Ora Shtatë”, tha se Kosova është në të njëjtën situatë, siç tha ai, sikur para zgjedhjeve të qershorit.
“Mbajtja e zgjedhjeve nuk ndryshoi asgjë në strukturën e Parlamentit, por u bëri me dije forcave politike se qytetarët tashmë janë shumë të lodhur”, u shpreh ai në Klan Kosova.


