Friday, September 18, 2026
spot_img
HomeLajmeTahiri: Ftoj forcat politike të jenë të bashkuara për të kundërshtuar vendimin...

Tahiri: Ftoj forcat politike të jenë të bashkuara për të kundërshtuar vendimin e turpshëm të Speciales

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi historike” ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Tahiri tha se qytetarët kanë të drejtë të shprehin revoltën dhe zhgënjimin e tyre, ndërsa theksoi se kundërshtimi do të vazhdojë edhe në aspektin institucional.

“Kjo është padrejtësi historike që i ka ndodhur shtetit të Kosovës, që i ka ndodhur kombit shqiptar, andaj me plot të drejtë jemi duke shprehur revoltën, dhe jemi duke reflektuar mllefin, dëshpërimin dhe zhgënjimin, dhe assesi nuk do ta pranojmë”, u shpreh Tahiri.

Ai e cilësoi vendimin si “skandaloz” dhe “të turpshëm”, duke paralajmëruar se PDK-ja do të vazhdojë ta kundërshtojë atë së bashku me qytetarët e Kosovës.

“Ka qenë vendim skandaloz, i turpshëm. Hapat e ardhshëm, ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë me qytetarët e Kosovës, por edhe në mënyrë institucionale kemi përgjegjësi”, tha ai.

Tahiri bëri gjithashtu thirrje për unitet ndërmjet forcave politike në vend, duke kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ketë një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.

“Ftoj që me pasë unifikim, me qenë të bashkuar. Mendoj se kurrë më shumë arsye në kuptim kombëtar se sot, nuk kemi pasur. Po ashtu pres që forcat politike në Kuvendin e Kosovës kanë me qenë të bashkuara, të jemi të bashkuar të kundërshtojmë këtë padrejtësi”, deklaroi Tahiri.

Deputeti i PDK-së shprehu bindjen se, pavarësisht zhvillimeve, “populli i Kosovës do të fitojë”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT