Një ekip i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” është sulmuar me armë zjarri gjatë kohës që po kryente inspektime për identifikimin e lidhjeve ilegale të ujësjellësit në fshatin Pantinë të Vushtrrisë.
Sipas informacioneve të para, një person ka qëlluar me armë ndaj ekipit në terren, ndërsa më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. I dyshuari aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për kapjen e tij.
Rastin për Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili ka bërë të ditur se ndaj personit të dyshuar po zhvillohen hetime për disa vepra penale.
“Personi në fjalë dyshohet për veprat penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ‘Mbajtje e paautorizuar e armës’ dhe ‘Përdorim i armës’”, ka deklaruar Preteni.
Njësitë kompetente të sigurisë po vazhdojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa detaje të tjera pritet të bëhen publike gjatë fazave të mëtejshme të hetimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


