Pushimet e shkurtra dhe të shpërndara gjatë vitit mund të ndihmojnë në rikuperimin nga stresi i punës dhe në ruajtjen e mirëqenies, sipas një editoriali të publikuar në revistën shkencore “Cureus”.
Artikulli, me titull “Maximizing Recovery: The Superiority of Frequent Vacations for Well-Being and Performance”, është shkruar nga Selvaraj Giridharan dhe Bhuvana Pandiyan, studiues të lidhur me Tawam Hospital në Al Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Herefordshire and Worcestershire Health and Care NHS Trust në Britani.
Autorët argumentojnë se pushimet e shpeshta mund të krijojnë mundësi më të rregullta për rikuperim, në vend që ditët e pushimit të grumbullohen vetëm në një periudhë të gjatë gjatë vitit.
Sipas tyre, një strategji e mundshme për menaxhimin e stresit është planifikimi i pushimeve të shkurtra rreth çdo dy muaj. Po ashtu, theksohet rëndësia e shkëputjes së plotë nga komunikimet dhe detyrat e punës gjatë kohës së pushimit.
Në mbështetje të kësaj qasjeje, autorët referohen edhe te një studim i publikuar në “Journal of Happiness Studies”, i cili ka ndjekur 54 punonjës gjatë dhe pas pushimeve të tyre.
Pushimet në këtë studim zgjatën mesatarisht 23 ditë. Pjesëmarrësit raportuan për gjendjen e tyre para pushimeve, disa herë gjatë tyre dhe në pesë momente pas rikthimit në punë.
Rezultatet treguan se mirëqenia dhe gjendja shëndetësore u përmirësuan shpejt gjatë pushimeve dhe arritën nivelin më të lartë rreth ditës së tetë. Megjithatë, pas rikthimit në punë, efektet pozitive u zbehën shpejt dhe gjendja u kthye në nivelin fillestar brenda javës së parë.
Studimi tregoi gjithashtu se mënyra se si shfrytëzohet koha e pushimit mund të ndikojë në përfitimet e tij. Relaksimi, kënaqësia nga aktivitetet, ndjenja e kontrollit mbi kohën dhe gjumi u shoqëruan me përmirësime më të mëdha në mirëqenie.
Duke u bazuar në këto të dhëna dhe në kërkime të tjera të përfshira në analizën e tyre, autorët e editorialit argumentojnë se rikuperimi i rregullt mund të jetë i rëndësishëm për mirëqenien e punonjësve.
Për këtë arsye, ata sugjerojnë që pushimet të shpërndahen gjatë vitit dhe jo të përqendrohen vetëm në një periudhë të vetme, duke krijuar mundësi më të shpeshta për shkëputje dhe rikuperim nga stresi i punës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


