Sony ka patentuar një sistem të ri që mund të thjeshtojë blerjen e lojërave dhe përmbajtjeve shtesë në konzolat PlayStation.
Patenta, e titulluar “Video Game Controller-Driven Information Transfer”, përshkruan një teknologji që do t’u mundësonte përdoruesve të blejnë lojëra, nivele shtesë apo “skin”-e duke afruar një kartelë bankare ose telefonin inteligjent pranë kontrolluesit të PlayStation. Sistemi parashikon edhe përdorimin e kartelave dhuratë.
Patenta është paraqitur për herë të parë në mars të vitit 2025, ndërsa është publikuar më 17 shtator. Në ilustrimet e saj shfaqet një televizor që pyet përdoruesin nëse dëshiron të blejë një lojë, ndërsa pranë kontrolluesit PS5 DualSense ndodhet një telefon.
Një tjetër ilustrim paraqet pranimin e një kartelë dhuratë, duke sugjeruar se përdoruesit mund të mos kenë nevojë të fusin manualisht kodet për të mbushur llogarinë në PlayStation Store.
Sistemi mund të mbështetet në teknologji si NFC dhe Bluetooth, megjithëse ende nuk dihet nëse Sony planifikon ta integrojë atë në aplikacionin PlayStation apo në pajisjet e ardhshme.
Megjithatë, patentimi i kësaj teknologjie nuk garanton se ajo do të bëhet pjesë e produkteve të ardhshme të kompanisë, pasi kompanitë shpesh patentojnë ide që nuk përfundojnë në treg.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


