Analistët politikë kanë komentuar sot në ‘Kosova Todya’ në Klan Kosova, zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke ngritur çështje të ndërlidhura me deklaratat e zyrtarëve të partisë, pozicionimet politike dhe dinamikat e brendshme.
Gazetari Shkumbin Kajtazi ka deklaruar se “qëllimi i Lutfi Hazirit, sipas tij, nuk është as parimor dhe as në të mirë të vendit”.
“Qëllimi i Lutfi Hazirit, besoj unë, ndonëse për bindjen time nuk është as parimor e as që po ia dojnë të mirën këtij vendi. Vetofrimi po ia dobëson pozicionin LDK-së”.
Ndërkohë, analistja Doruntina Meha ka thënë se opozita nuk ka qenë bllokuese, por sipas saj, përgjegjësia bie te partia e parë.
“Vetofrimi i LDK-së është i pakuptueshëm, duke ditur se mbase ai as votat e veta s’i ka për qeveri e president. Dhe e dyta, që thotë se të voglit s’duhet me blloku, që tregon se në një farë forme po bën me dije se opozita ka qenë ajo që ka bllokuar, gjë që del në fjalët e VV-së, që sikur opozita ka qenë bllokuese, por nuk është e vërtetë; ata që kanë pasur numrat janë fajtorët.”
Analisti Vullnet Krasniqi ka thënë se situata në LDK tregon për ndarje të brendshme dhe ndikime të grupeve të ndryshme brenda partisë.
Sipas tij, në LDK ekzistojnë dy blloqe kryesore: një i afërt me Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, dhe një tjetër grup që, sipas tij, është i lidhur me figura të tjera brenda partisë.
Ai ka shtuar se këto përplasje janë reflektuar edhe në proceset e brendshme zgjedhore dhe në vendimmarrjen politike të partisë. /Klankosova.tv


