Tuesday, September 1, 2026
spot_img
HomeLajmeSinjali kishte raportuar ekskluzivisht për aferën milionëshe në BKS – hetimet zgjerohen...

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për aferën milionëshe në BKS – hetimet zgjerohen ndaj 21 personave, thellohet skandali milionësh në BKS

Hetimet për keqpërdorimet e dyshuara në Byronë Kosovare të Sigurimeve janë zgjeruar ndaj 21 personave të tjerë, duke e çuar në 69 numrin e përgjithshëm të të pandehurve në këtë çështje penale, raporton Gazeta Sinjali.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se 21 të pandehurit e rinj janë punëtorë të BKS-së dhe po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e parave pa mbulesë.

Shumat e përfituara dyshohet se variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person, duke i shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Në intervistimin e tyre kanë marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Zëvendëskryeprokurori dhe një prokuror tjetër i kësaj Prokurorie.

Krahas hetimit penal, Prokuroria dhe Njësiti i Hetimeve të Integruara Financiare kanë zhvilluar hetime edhe për identifikimin dhe gjurmimin e pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Si rezultat i këtyre veprimeve, janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, duke përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe garazhe.

Pronat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, të cilët dyshohen për përfshirje në veprimet që i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Gjatë ditës së sotme është urdhëruar edhe ngrirja e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Në fazën fillestare të hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1 milion e 43 mijë euro. Me zgjerimin e hetimeve është identifikuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh, duke e çuar vlerën e përgjithshme në mbi 1.2 milion euro.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht më 8 janar për aksionin e gjerë të Prokurorisë dhe Policisë, i cili ishte zhvilluar në disa qytete të Kosovës dhe kishte përfshirë qindra zyrtarë policorë.

Sinjali kishte siguruar urdhëresën zyrtare të Gjykatës Themelore në Prizren dhe kishte publikuar listën e plotë të personave që atëherë ndodheshin nën hetim për skandalin e BKS-së.

Sipas dokumentit të siguruar nga Sinjali, gjatë operacionit ishin ndaluar 39 persona, ndërsa në listën e të hetuarve figuronte ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, si dhe dhjetëra persona të tjerë fizikë.

Në dosje, si person juridik nën hetim figuronte edhe kompania “Reforma” SH.P.K.

Hetimi lidhej me dyshimet për “Keqpërdorim të besimit”, “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe bashkëkryerje në vazhdimësi.

Sinjali kishte publikuar edhe gjetjet e auditorit të BKS-së, ku ishin evidentuar parregullsi serioze dhe sistematike, duke përfshirë pagesa pa dosje dëmi, kompensime të dyfishta, dëme të paguara pa raporte policore, marrëveshje të dyshimta jashtëgjyqësore dhe inspektime fiktive të automjeteve.

Pas aksionit, Gjykata Themelore në Prizren u kishte caktuar nga një muaj paraburgim Sami Mazrekut, Valon Berishës, Florent Sylejmanit dhe Ylli Çollakut, ndërsa ndaj 35 të pandehurve të tjerë kishte caktuar masa më të buta.

Prokuroria dhe Policia kanë paralajmëruar vazhdimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët vërtetohet përgjegjësia penale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT