Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar njëzëri marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Kosovës.
Në njoftimin e LDK-së thuhet se marrëveshja është shqyrtuar në bazë të autorizimeve të dhëna nga Kuvendi i partisë dhe në kuadër të përgjegjësive statutare të Kryesisë.
Sipas partisë, vendimi për mbështetjen e Sejdiut për postin e Presidentit përbën qëndrimin zyrtar dhe institucional të LDK-së.
LDK-ja ka deklaruar se marrëveshja synon, përveç zgjedhjes së Presidentit, edhe tejkalimin e krizës institucionale dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm të institucioneve.
Në njoftim, partia e ka cilësuar Sejdiun si kandidat që, sipas saj, i përmbush kriteret për këtë pozitë, duke përmendur përvojën e tij si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
LDK-ja ka theksuar se përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në diplomaci përbën bazë për ushtrimin e detyrës së Presidentit në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
Kryesia e partisë u ka bërë gjithashtu thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që gjatë procesit të votimit të veprojnë në përputhje me vendimin e organeve të partisë.
Në fund të njoftimit, LDK-ja ka thënë se do të vazhdojë të veprojë me “maturi, unitet dhe përgjegjësi”, duke e vendosur interesin e Republikës së Kosovës mbi konsideratat e tjera.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


