Friday, September 18, 2026
spot_img
HomeLajmeShtyhet sërish plani i Danimarkës për dërgimin e të burgosurve në Kosovë

Shtyhet sërish plani i Danimarkës për dërgimin e të burgosurve në Kosovë

Plani i Danimarkës për të dërguar të burgosurit e huaj në një burg në Kosovë është shtyrë sërish, ndërsa 300 vendet e burgut pritet të jenë në dispozicion në fund të vitit 2027.

Këtë e ka bërë të ditur të premten ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nicloi Wammen, i cili ka njoftuar se projekti ka pësuar vonesa të reja.

“Kam informuar Agjencinë Daneze të Burgjeve se çështja e burgut në Kosovë është shtyrë, ashtu që vendet e burgut në rastin më të hershëm mund të jenë në dispozicion për t’u përdorur në fund të 2027-s e ndoshta jo para fillimit të vitit 2028”, ka thënë Wammen në një deklaratë me shkrim për “Ritzau”.

Danimarka dhe Kosova kishin arritur marrëveshje në vitin 2021 për marrjen me qira të 300 qelive në Kosovë, me qëllim të uljes së presionit mbi sistemin e burgjeve në Danimarkë.

Sipas planit fillestar, të burgosurit e parë të huaj do të dërgoheshin në Kosovë për të vuajtur dënimin që nga viti 2023. Shtyrja e fundit nënkupton se zbatimi i marrëveshjes mund të nisë rreth pesë vjet pas afatit të paraparë fillimisht.

Megjithatë, Wammen ka thënë se projekti vazhdon të mbetet prioritet për Qeverinë daneze, me synimin për të ulur mbingarkesën në burgjet e vendit dhe për të dëbuar shtetasit e huaj të dënuar.

“Duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundshme dhe natyrisht që do të kisha dashur shumë që ne veçse të kishim nisur prej kohësh t’i dërgonim të burgosurit atje. Prandaj, sigurisht se jam larg së qenit i kënaqur me faktin se projekti po vonohet edhe më tej”, ka thënë ai.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Danimarkë, autoritetet në Kosovë e kanë zbrazur burgun nga të burgosurit, ndërsa marrëveshja me kontraktorin është nënshkruar në korrik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT