Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Serbi, ku tha se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Tirana ka theksuar se qëndron fuqishëm në mbështetje të Kosovës, duke kundërshtuar çdo krahasim me situatën në Ukrainë.
“Nuk duhet të ketë keqkuptime në këtë pikë, çdo përpjekje për të bërë një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht mashtruese”, thuhet në reagimin e ministrisë në Facebook, përcjell Klankosova.tv.
Më tej, Shqipëria thekson se “rasti i Kosovës qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe ligjore”, duke iu referuar edhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
Shqipëria ka përsëritur po ashtu qëndrimin se Kosova dhe Serbia i përkasin një të ardhmeje të përbashkët evropiane, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mes tyre duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.


