Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se vendimi që do të merret më 16 shtator në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po i shkakton ankth kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një video të postuar në Facebook, Behrami thotë se Kurti po synon të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në shtator në mënyrë që të pamundësohet festa ose protesta pas vendimit.
“Shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme e bën Presidenti, në konsultim me Kryeministrin legjitim, në rrethana shumë specifike. Në një situatë kur nuk kemi institucione të konstituuara, një shpallje e tillë do të ishte shkatërruese. Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit. Me Shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme në shtator, Kurti synon parandalimin e festës për lirimin e krerëve të UÇK-së ose të protestave masive, nëse verdikti do të jetë dënues”, shkroi Behrami, krahas videos së postuar në Facebook.
Paralajmërimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e bëri mbrëmë analisti Lulzim Peci në një emision në RTV21.
“Unë si qytetar i Kosovës i frikohem një skenari të tmerrshëm që neve mundet me na prit pas shtatorit, sepse e përmenda edhe një herë derdhjen e gjakut… Problemi i kësaj është se na mundemi të mbërrijmë në një situatë më të komplikuar e deri në atë pikë që zoti Kurti me shpall gjendjen e jashtëzakonshme pa kurrfarë baze ligjore, pa parlament, pa kurgjo, dhe atëherë ne hyjmë në diçka që ende s’e ka pa Kosova me sy të vet, dhe atëherë hap dyer për shumë procese politike si të brendshme, por po ashtu edhe me veriun, po ashtu edhe me krejt situatën këtu. Kjo për mu është sistem, kam ankth, ta them…”, tha ai, duke shtuar se druhet se Kurti mund t’i tejkalojë kompetencat për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme. /Klankosova.tv


