Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rajonin e Gjilanit, ku 35-vjeçarja Blerta Gashi, shtatzënë në muajin e shtatë, është ndarë nga jeta pasi gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar dhe ishte dërguar me urgjencë për trajtim në Spitalin Rajonal në Gjilan, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se e ndjera është Blerta Gashi rreth 35-vjeç, nga fshati Drobesh i Vitisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 13 gushtit. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 35-vjeçarja kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, ku kishte mbërritur në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për shkak të gjendjes së saj, ajo është transferuar menjëherë për trajtim të mëtejshëm në Spitalin Rajonal në Gjilan.
Fatkeqësisht, sipas të dhënave të siguruara gjatë hetimeve, Gashi ka arritur në Emergjencën e Spitalit Rajonal pa shenja jete.
Rasti bëhet edhe më tragjik pasi, sipas raporteve mjekësore të përfshira në informacionet fillestare, 35-vjeçarja ishte shtatzënë në muajin e shtatë.
Pas njoftimit për vdekjen, në spital kanë dalë hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme, Krim-teknika dhe Prokurori i Shtetit, të cilët kanë nisur veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave.
Nga veprimet e para hetimore, nuk janë evidentuar indicie që vdekja e 35-vjeçares të jetë shkaktuar nga ndonjë faktor i jashtëm apo veprim kriminal.
Bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur nga shkaqe natyrore. Megjithatë, shkaku përfundimtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i Blerta Gashit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


