Sinjali ka mësuar identitetin e gjashtë personave të dyshuar për përleshjen që ndodhi të enjten në fshatin Turjakë të Malishevës, ku një mosmarrëveshje pronësore dyshohet se eskaloi në rrahje dhe përdorim të armës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në rast janë përfshirë Lirim Kastrati rreth 29-vjeç, Nystret Kastrati rreth 47-vjeç, Ismet Kastrati rreth 54-vjeç, Bedri Kastrati rreth 57-vjeç, Baki Kastrati rreth 65-vjeç dhe Bujar Kastrati rreth 35-vjeç.
Rasti ka ndodhur më 13 gusht, rreth orës 17:20, kur Policia ka pranuar informatën se në Turjakë po ndodhte një rrahje në rrugë.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, Lirim, Nystret dhe Ismet Kastrati dyshohet se janë përleshur me Bedri, Baki dhe Bujar Kastratin.
Motivi i përleshjes dyshohet të jetë një kontest pronësor, pasi të dyja palët pretendojnë se prona për të cilën ka lindur mosmarrëveshja u takon atyre.
Gjatë konfliktit situata ka eskaluar edhe në përdorimin e armës. Lirim Kastrati dyshohet se ka shtënë dy herë në ajër me një pistoletë “Zoraki” të kalibrit 9 mm.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka sekuestruar si prova materiale pistoletën, një fishek, një gëzhojë të kalibrit 9 mm dhe dy briskë.
Të gjashtë personat janë shoqëruar dhe intervistuar lidhur me rastin.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Lirim Kastrati, Nystret Kastrati, Ismet Kastrati, Baki Kastrati dhe Bujar Kastrati janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Bedri Kastrati është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprat penale që lidhen me mbajtjen dhe përdorimin e paautorizuar të armës dhe lëndimin e lehtë trupor, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


