Ndeshja e shumëpritur mes Brazilit dhe Marokut në kuadër të Grupit 3 të Kupës së Botës 2026 mund të përballet me vonesa për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në New Jersey.
Reshjet e dendura të shiut dhe rreziku nga rrufetë kanë ngritur shqetësime te organizatorët vetëm pak orë para fillimit të takimit, i cili do të zhvillohet në stadiumin MetLife, i njohur gjatë Botërorit me emrin zyrtar “New York New Jersey Stadium”.
Sipas rregulloreve të sigurisë në Shtetet e Bashkuara, çdo aktivitet elektrik i regjistruar brenda një distance prej 12.8 kilometrash nga stadiumi detyron ndërprerjen ose shtyrjen e menjëhershme të ndeshjes. Në raste të tilla, lojtarët largohen nga fusha, ndërsa tifozët udhëzohen të strehohen në zonat e sigurta të impiantit.
Rregullat parashohin një periudhë pritjeje prej të paktën 30 minutash, por çdo rrufe e re e regjistruar në afërsi të stadiumit e rinis afatin nga fillimi, duke rritur mundësinë për vonesa të gjata.
Organizatorët po monitorojnë në vazhdimësi situatën meteorologjike dhe pritet të marrin një vendim përfundimtar nëse kushtet përkeqësohen para ose gjatë ndeshjes.
Pavarësisht shqetësimeve për motin, interesimi për përballjen mes Brazilit dhe Marokut mbetet i madh, pasi të dy kombëtaret synojnë ta nisin me rezultat pozitiv aventurën e tyre në Kupën e Botës 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


