Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me shtatë muaj burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Vesel Bunjaku, në rastin “Capat vs Sekiraqt”.
Bunjaku është dënuar me shtatë muaj burgim për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 2 mijë euro gjobë.
Bunjaku kishte pranuar fajësinë në seancën e mbajtur më 26 gusht 2026 për këto dy vepra penale.
Gjykata ka njoftuar se në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 11 shtatori 2024 deri më 11 prill 2025.
Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Fatime Dermaku dhe anëtarët Ertan Sejfullah dhe Altin Murseli. Në shpalljen e aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm Bunjaku.
Sipas aktakuzës, më 1 shtator 2024, rreth orës 21:42, menjëherë pas përfundimit të të shtënave me armë mes dy grupeve, Bunjaku dyshohet se ka marrë në posedim dy armë zjarri me qëllim të fshehjes dhe manipulimit të provave.
Bëhet fjalë për dy pistoleta gjysmë-automatike, njëra që dyshohet se ishte në posedim të Salih Sekiraqës dhe tjetra që dyshohet se ishte përdorur nga Fatos Abazi.
Në aktakuzë thuhet se, bazuar në pamjet e kamerave të lokalit, Bunjaku shihet duke u drejtuar në tarracë për të dalë jashtë, ndërsa në duar mban dy armët. Më pas, ai është kthyer në lokal pa armët, të cilat janë gjetur në pjesën e pasme të lokalit.
Me këto veprime, Bunjaku ishte akuzuar për veprën penale “Manipulimi me prova”, nga neni 389, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Ndërkaq, për marrjen dhe vendosjen e dy pistoletave në pjesën e pasme të lokalit, ai ishte akuzuar edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


