Një debat që dyshohet se nisi për motive xhelozie ka përfunduar me përleshje pranë stacionit të trenit në Treviglio të Italisë. Një 35-vjeçar maroken mbeti i plagosur, ndërsa një shqiptar 22-vjeçar u arrestua.
Ngjarja ndodhi të enjten, rreth orës 22:00, pasi të dy zbritën nga i njëjti tren. Sipas mediave italiane, mes tyre kishte nisur më herët një konflikt, në qendër të të cilit dyshohet se ishte një çështje xhelozie.
Pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se tregojnë 35-vjeçarin duke e kërcënuar të riun shqiptar me një thikë të madhe kuzhine në nënkalimin e stacionit.
Përplasja vazhdoi në një parking në Viale Vittorio Veneto, ku 22-vjeçari dyshohet se e ndoqi dhe e goditi 35-vjeçarin me thikë në krah dhe në pjesën e poshtme të shpinës.
I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Treviglios pasi kishte humbur shumë gjak. Gjendja e tij më pas u stabilizua dhe ai vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Karabinierët e arrestuan shqiptarin po atë mbrëmje dhe sekuestruan një thikë palosëse, e cila dyshohet se u përdor gjatë përleshjes.
Gjatë marrjes në pyetje, 22-vjeçari pranoi se e kishte goditur 35-vjeçarin, por pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, pasi ishte kërcënuar dhe sulmuar më herët prej tij.
I riu, banues në Verona, ndodhet në paraburgim nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


