Përdorimi i inteligjencës artificiale po rritet me shpejtësi në mbarë botën, por ritmi i përhapjes së saj ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore, Serbia kryeson në Ballkanin Perëndimor për përdorimin e ChatGPT, ndërsa Shqipëria renditet pranë fundit të rajonit.
Në maj të vitit 2025, Serbia regjistroi 231 vizita në ChatGPT për çdo 100 përdorues interneti, niveli më i lartë në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfshira në krahasim.
Pas saj renditet Maqedonia e Veriut me 166 vizita, ndërsa Mali i Zi me 146. Shqipëria regjistroi 142 vizita për 100 përdorues interneti, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, me 134 vizita.
Në krahasim me disa ekonomi të zhvilluara, përdorimi i ChatGPT në rajon mbetet më i ulët. Në Gjermani u regjistruan 274 vizita për 100 përdorues interneti, në Francë 262, në Spanjë 254 dhe në Suedi 351. Në Australi treguesi ishte 447, ndërsa në Shtetet e Bashkuara 245.
Banka Botërore e konsideron inteligjencën artificiale një teknologji transformuese, e cila mund të ndikojë në produktivitet, rritjen ekonomike dhe mënyrën se si organizohet puna dhe ofrohen shërbimet.
Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale mund t’u mundësojë bizneseve të automatizojnë detyra, të analizojnë të dhëna dhe të reduktojnë kohën dhe kostot e proceseve të ndryshme.
Megjithatë, përfitimet nga kjo teknologji nuk shpërndahen automatikisht. Sipas Bankës Botërore, vendet me infrastrukturë më të dobët dixhitale, më pak aftësi teknologjike dhe kapacitete të kufizuara llogaritëse rrezikojnë të mbeten pas.
Një tjetër pengesë është edhe kostoja e qasjes në internet. Në vendet me të ardhura të ulëta, një paketë celulare prej 5 GB mund të kushtojë më shumë se 15 për qind të buxhetit mesatar të një personi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


