Senatorja amerikane Jeanne Shaheen ka ngritur shqetësime për ndikimin rus në Ballkan, duke theksuar lidhjet e Serbisë dhe të serbëve në Republikën Sërpska me Moskën.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shaheen tha se Rusia e sheh Ballkanin si një front të mundshëm për destabilizim dhe se duhet të merren masa për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
“Është lidhja që Serbia dhe serbët në Republikën Sërpska kanë me Rusinë dhe interesi i tyre për ta destabilizuar rajonin. Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur stabilitetin në rajon”, tha ajo.
Shaheen theksoi praninë e misioneve ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
“Ne kemi një prani të NATO-s në Kosovë. Kemi misionin EUFOR në Bosnje e Hercegovinë. Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto misione janë në gatishmëri të lartë dhe po e vëzhgojnë nga afër atë që po ndodh”, deklaroi senatorja amerikane.
Ajo i bëri këto komente në kuadër të shqetësimeve për aktivitetet ruse në Ballkan dhe për mundësinë që tensionet në rajon të shfrytëzohen nga Moska si pjesë e përpjekjeve më të gjera destabilizuese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


