Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka prezantuar modelin e ri të pagave të quajtur “Euro Model”, i cili pritet të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2027.
Sipas Spajiqit, paga minimale për punonjësit me arsim fillor ose më të ulët do të jetë 1,000 euro neto në muaj, ndërsa për ata me arsim të mesëm do të arrijë në 1,250 euro. Për punonjësit me arsim të lartë, paga minimale është paraparë të jetë 1,400 euro.
Reforma, sipas qeverisë malazeze, do të përfshijë mbi 250 mijë të punësuar dhe do të sjellë rritje pagash edhe për punëtorët që aktualisht kanë të ardhura mbi pagën minimale.
Spajiq ka deklaruar se, me të njëjtën kosto për punëdhënësin, një pagë neto prej 1,600 eurosh mund të rritet në rreth 1,870 euro, si rezultat i uljes së barrës tatimore mbi pagat.
Qeveria planifikon që reforma të financohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, luftimit të ekonomisë informale dhe masave të tjera fiskale.
Pjesë e reformës janë edhe pensionet. Spajiq ka njoftuar se nga viti 2027 pensionet do të indeksohen katër herë në vit. Sipas tij, pensioni mesatar pritet të kalojë 600 euro, ndërsa pensioni minimal mbi 500 euro.
Gjithashtu, në dhjetor të këtij viti, çdo pensionist në Mal të Zi pritet të përfitojë një pagesë shtesë prej 100 eurosh.
Sipas parashikimeve të Qeverisë së Malit të Zi, reforma pritet ta rrisë pagën mesatare neto nga rreth 1,000 euro në mbi 1,400 euro.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


