Një organizatë kriminale që dyshohet se shtrinte aktivitetin nga Shqipëria, përmes Greqisë, deri në Turqi është goditur nga policia greke pas një operacioni të gjerë të zhvilluar në Selanik.
Si rezultat i operacionit janë arrestuar dy persona, të moshës 58 dhe 43 vjeç, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, grupi kishte strukturë të mirëorganizuar dhe përdorte kamionë të transportit ndërkombëtar për të trafikuar sasi të mëdha kanabisi nga Shqipëria drejt Turqisë.
Për të shmangur kontrollet, droga fshihej në hapësira të posaçme brenda ngarkesave të ligjshme me letër për riciklim.
Gjatë ndërhyrjes në një hapësirë të mbyllur në Selanik, dy të dyshuarit janë kapur në flagrancë me tetë paleta letre për riciklim.
Brenda tyre, policia ka zbuluar pako me kanabis të papërpunuar, me peshë totale prej 324 kilogramë e 474 gramë.
Autoritetet greke vlerësojnë se grupi synonte të përfitonte rreth 700 mijë euro nga kjo ngarkesë droge.
Të arrestuarit janë dërguar para organit kompetent të akuzës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në Shqipëri dhe Turqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


