Juristi Lekë Sahatçiu ka thënë se 50 për qind e fermerëve të Kosovës e sjellin qumështin te fabrika për përpunimin e qumështit, VITA.
Ai tha se kjo ka ardhur si rezultat i punës së kësaj fabrike që ndër vite ka fituar besimin e fermerëve dhe konsumatorëve.
“Siç e dimë të gjithë, qumështorja VITA që 20 vjet është në treg dhe është zhvilluesi kryesor i të gjithë industrisë së qumështit”, tha Sahatçiu në konferencë për media.
“Gjatë 20 vjetëve, sigurisht edhe ne jemi rritur me partnerët tanë që janë fermerët, që është pjesa kryesore dhe partnerët tanë kryesorë, pra fermerët e fabrikës sonë”.
“Statistikisht, fabrika e qumështit VITA, përpunimit të qumështit, pranon nga të gjithë fermerët e Republikës së Kosovës, por statistikisht 50 për qind të fermerëve të Republikës së Kosovës sjellin qumësht te ne dhe ne e grumbullojmë qumështin e tyre”.
“Kjo sigurisht ka ardhur edhe si pasojë e rezultateve dhe besimit që fermerët dhe konsumatorët tanë e kanë ndaj neve”.
Sahatçiu madje tha se “VITA” është aq transparente, sa që institucionet mund të hapin një zyrë te kjo fabrikë pasi ata nuk kanë asgjë për të fshehur.
“Dëshirojmë të bëjmë diçka tjetër të qartë që gjithashtu ka qenë pjesë e diskutimit publik, është që nëse kemi pasur hezitim që të inspektohemi nga AVUK-u apo nga ndonjë institucion tjetër kompetent. Kjo është tërësisht e pavërtetë, gjithmonë jemi në koordinim me AVUK-un dhe çdo institucion tjetër kompetent”.
“Gjithmonë kemi bashkëpunuar me ta dhe bashkëpunojmë me ta. Madje mundemi me shku edhe pak ma larg, e mundemi me thanë që nëse është e nevojshme nga AVUK-u apo nga çfarëdo institucioni tjetër kompetent, të hapin një zyrë në fabrikën e VITA-s, aq transparent e kemi procesin dhe nuk kemi asgjë për të fshehur”.


