Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe deputetëve të tjerë që vazhdojnë të ushtrojnë njëkohësisht edhe funksione në Qeveri.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili tha se kallëzimi penal do t’i dorëzohet Prokurorisë Speciale.
“Kallëzimi penal do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Qeverinë nuk mund të vazhdojë, prandaj nevojitet inkuadrimi i Prokurorisë së Shtetit”, deklaroi Gruda.
PDK-ja pretendon se mbajtja e njëkohshme e mandatit të deputetit dhe funksioneve qeveritare përbën shkelje të rendit juridik. Përmes kallëzimit penal, kjo parti kërkon që çështja të trajtohet nga organet e drejtësisë.
Gruda ka folur edhe për mundësinë e bisedimeve politike me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e përjashtuar një skenar të tillë për PDK-në.
“Ne e kemi deklaruar një qëndrim që nuk e ndryshojmë më. Ne nuk kemi asnjë negociatë me LVV-në. Jemi parti opozitare dhe nuk na intereson çfarë bën LVV, pasi diskutimet na kanë dështuar për shkak të Albin Kurtit”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


