Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se çështjes së pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet synohet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare.
Rama, së bashku me nënkryetaren Besianë Musmurati dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kanë vizituar sot Ndërmarrjen Publike “Pastrimi”, ku kanë diskutuar me drejtuesit dhe punëtorët për gjendjen aktuale dhe problemet me të cilat përballet ndërmarrja.
Sipas Ramës, gjatë takimit është diskutuar për hapat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e menjëhershëm të situatës, por edhe për krijimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme për pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Çështjes së pastrimit po i japim zgjidhje përfundimisht”, ka deklaruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se institucionet komunale dhe ndërmarrja do të bashkëpunojnë për të ndërmarrë hapat e mëtejmë me qëllim përmirësimin e shërbimeve të pastrimit në Prishtinë.
Rama nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me masat konkrete apo afatet se kur pritet të fillojë zbatimi i zgjidhjeve të paralajmëruara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


