Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar pasi Albulena Haxhiu u betua si deputete, duke kritikuar situatën institucionale dhe mënyrën se si, sipas tij, po funksionojnë institucionet e vendit.
Përmes një reagimi publik, Sadiku tha se Haxhiu aktualisht ushtron disa funksione njëkohësisht, duke e cilësuar këtë si një “katrahurë institucionale”.
“Sot Albulena Haxhiu u betua si deputete. Në të njëjtën kohë është ushtruese e detyrës së kryetares së Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes”, shkroi Sadiku.
Deputeti i LDK-së akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për keqmenaxhim të situatës politike pas zgjedhjeve, duke thënë se vendi vazhdon të mbetet i bllokuar.
“Domethënë, krejt kjo katrahurë me një parti që i ka fituar votat për të qeverisur e po bën hajgare. Derisa nuk janë në gjendje me kry një punë, ama hajgare po”, u shpreh ai.


