Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka bërë thirrje për bashkim rreth LDK-së, duke thënë se vendi ka nevojë për rikthim të stabilitetit politik, ekonomik dhe diplomatik.
Ajo në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova tha se qytetarët që besojnë se Kosova siç tha ajo duhet të rikthehet në binarët e saj duhet t’i bashkohen këtij subjekti politik.
“Ne po mendojmë që me të drejtë po i ftojmë të gjithë të bashkohen. Të gjithë qytetarët që mendojnë se Kosova ka nevojë me u kthyer në binarët e saj të stabilitetit politik, ekonomik e diplomatik duhet të na bashkohen, sepse Kosova ka më së paku arsye me humbur kohë”, deklaroi Gaxherri.
Duke folur për mobilizimin brenda këtij subjekti politik pas rikthimit të Vjosa Osmanit, ajo tha se atmosfera në terren po ndryshon çdo ditë.
“Kemi disa ditë që kemi filluar me dalë në terren bashkë të dy edhe Abdixhiku dhe Osmani dhe unë jam dëshmitare që jam çdo ditë në terren dhe dita-ditës ndryshon shumë. Po e shohim çdo ditë se fryma po krijohet, është si ai orteku i borës që po rritet”, theksoi ajo.
Sipas Gaxherrit, LDK-ja pret që në zgjedhjet e 7 qershorit të dalë si subjekti i parë politik në vend.
“Ne me të drejtë po presim me qenë subjekti i parë politik. Ne pretendojmë me dalë të parët”, tha kandidatja për deputete nga LDK, njofton Klankosova.tv.


