Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj shtatë personave të dyshuar për korrupsion, ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, mëson Sinjali.
Bëhet fjalë për të pandehurit: Nexhat Raifi, Nexhmije Karaqi, Shaban Syla, Halil Mustafa, Hajrullah Muli, Vegim Gashi dhe Avdi Pireva të cilët po hetohen për veprat penale: “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënia e ryshfetit”, si dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhënia e ryshfetit”.
Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht emrat e të dyshuarve dhe aksionin në fjalë:
Sipas vendimit të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të provave të dosjes, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Speciale për paraburgim nuk është e bazuar.
Në vend të paraburgimit, Gjykata ka vendosur ndaj të dyshuarve masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga 6 maji deri më 5 qershor 2026.
Tutje bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe, të pandehurit nuk lejohet të largohen nga vendbanimet e tyre, përveç rasteve të lejuara nga gjykata.
“Të pandehurit gjatë kohëzgjasjes së masës, nuk guzojnë të largohen nga vendbanimet e tyre , përjashtimisht nëse lejohet nga gjykata nëse kjo është e domosdoshme, ndërsa gjykata mund të caktoj msën e paraburgimit, nëse të pandehurit pa leje të gjykatës largohen nga vendbanimet e tyre.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thotë Gjykata e Prishtinës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


