Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me mesfushorin spanjoll Dani Ceballos për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të përbashkët.
29-vjeçari largohet nga “Santiago Bernabéu” si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij, e cila kishte edhe një vit të mbetur, është ndërprerë para kohe.
Në njoftimin zyrtar, klubi madrilen bëri të ditur se palët kanë vendosur të mbyllin bashkëpunimin në mënyrë të përbashkët.
Ceballos iu bashkua Real Madridit në vitin 2017 nga Real Betis si një nga talentet më premtues të futbollit spanjoll, por nuk arriti të sigurojë një vend të rregullt në formacionin bazë.
Pas një periudhe huazimi te Arsenali, ai u rikthye në Madrid, ku pati paraqitje të herëpashershme, por pa u konsoliduar si titullar.
Gjatë periudhës së tij me Real Madridin, Ceballos zhvilloi 215 ndeshje dhe fitoi 16 trofe, përfshirë 3 Liga të Kampionëve dhe 2 tituj të La Ligës.
Sipas raportimeve, mesfushori spanjoll pritet të vazhdojë karrierën e tij në një tjetër klub si transfer i lirë, me rikthimin te Real Betis si një nga opsionet më të mundshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


