Wednesday, August 26, 2026
spot_img
HomeLajmeAbdixhiku: Kemi kaluar te emrat konkretë për presidentin, por s’mund të bëhen...

Abdixhiku: Kemi kaluar te emrat konkretë për presidentin, por s’mund të bëhen publik për shkak të ndjeshmërisë së procesit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dhënë detaje nga takimi i sotëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke konfirmuar se diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës kanë kaluar në një fazë më konkrete.

Abdixhiku tha se, pas dakordimit për parimet mbi të cilat duhet të bazohet zgjedhja e presidentit, në takimin e sotëm janë diskutuar edhe emra konkretë.

“Pas dakordimit rreth parimeve për presidentin apo presidenten e ardhshme të Republikës së Kosovës, sot kemi vazhduar me diskutime rreth emrave konkretë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, emrat e propozuar gjatë takimit, në masë të madhe, janë në përputhje me parimet e dakorduara më herët.

“Ky është një hap përpara, meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve kemi kaluar në emra”, deklaroi ai.

Megjithatë, Abdixhiku tha se emrat nuk mund të bëhen publikë për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ndërsa paralajmëroi se palët do të takohen sërish për të finalizuar marrëveshjen.

“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju lutem për mirëkuptim, nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij synon që procesi të përfundojë brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh, duke e lidhur këtë me nevojën për stabilitet institucional.

“Po përpiqemi, meqë jemi të interesuar që t’i japim stabilitet Republikës së Kosovës. Duam të jemi zë i arsyes për këtë stabilitet”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja nuk do të thërrasë seancë të Kuvendit, pasi sipas tij ekzistojnë paqartësi të thella kushtetuese rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, ai tha se për LDK-në është e qartë se presidenti duhet të zgjidhet brenda afatit 60-ditor.

Abdixhiku gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që LDK-ja të jetë e lidhur me ndonjë parti tjetër, duke theksuar se vendimet e saj merren në mënyrë të pavarur.

“LDK-ja është e LDK-së. Vetëm anëtarësia e LDK-së vendos mbi një LDK të tillë të lirë”, deklaroi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT