Saturday, August 15, 2026
spot_img
HomeLajmeRDK aksion para Kuvendit: Haxhiu, Kurti e Dehari vendosen në pankarta si...

RDK aksion para Kuvendit: Haxhiu, Kurti e Dehari vendosen në pankarta si “shkelës të Kushtetutës”

Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.

Në dyert e Kuvendit, RDK-ja ka vendosur pankarta me fotografitë e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, me mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”.

Kryetarja e RDK-së, Arbnore Salihu, tha se përmes këtij aksioni synojnë të rikujtojnë obligimet që, sipas saj, burojnë nga Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Në dyert e Kuvendit kemi vendosur tre shkelësit e Kushtetutës. Tre kryesorët. Për me i tregu tri gjëra: çka thotë Kushtetuta, çka ka thënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2025 dhe çka thotë Rregullorja e Kuvendit. Nuk ka nevojë me shpik rregulla të reja. E kur rregullat janë shumë të qarta dhe afatet janë të ditura”, tha Salihu, raporton EO, transmeton Sinjali.

Ajo tha se Kushtetuta përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Rregullorja e Kuvendit përcakton afatin për vazhdimin e seancës konstituive.

“Kushtetuta parasheh 30 ditë për konstituimin e Kuvendit nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat vitin e kaluar, ndërsa Rregullorja thotë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë”, deklaroi ajo.

Salihu u bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve që të mundësojnë vazhdimin e seancës konstituive.

“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund t’i pranojnë këto lloj shkelje, të cilat po bëhen praktikë e pastaj po na shiten si normalitet. Numrat i keni, thirreni seancën, konstituojeni Kuvendin”, tha Salihu.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT