Gazeta Sinjali raportoi disa orë më parë se një person i kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë është ekstraduar nga Kroacia dhe është arrestuar menjëherë pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Shendrit Buja, rreth 34-vjeçar, nga Lipjani.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila njoftoi se më 15 gusht 2026 është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Kroacia, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar.
Sipas Policisë, personi kërkohej nga institucionet e drejtësisë për përfshirje në veprën penale “Dhunimi”.
Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


