Rasti i Granit Xhakës ka marrë një tjetër kthesë, pasi kanë dalë dyshime të reja se kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës e ka përdorur certifikatën e falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19 për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2022.
Sipas gazetës zvicerane “Tages-Anzeiger”, deri tani ishte supozuar se mesfushori nuk e kishte përdorur asnjëherë këtë certifikatë, por udhëtimi i tij në SHBA gjatë verës së vitit 2022 ka ngritur dyshime të reja.
Në atë kohë, SHBA-ja kërkonte që udhëtarët e huaj që hynin në vend përmes rrugëve ajrore të dëshmonin se ishin të vaksinuar kundër COVID-19. Kërkesa për paraqitjen e testit negativ para nisjes ishte hequr më 12 qershor 2022, ndërsa kufizimet për udhëtarët e pavaksinuar mbetën në fuqi deri në maj të vitit 2023.
Në korrik të vitit 2022, Arsenali zhvilloi turneun parasezonal në SHBA, ku pjesë e ekipit ishte edhe Xhaka.
Në atë periudhë, disa futbollistë të tjerë të Premier League nuk udhëtuan me ekipet e tyre drejt SHBA-së për shkak të statusit të vaksinimit. Chelsea, për shembull, la në Angli N’Golo Kanten dhe Ruben Loftus-Cheek, ndërsa Manchester City udhëtoi pa Phil Foden, John Stones dhe İlkay Gündogan.
Fillimisht, Xhaka kishte mohuar se kishte marrë certifikatën e falsifikuar, por më vonë pranoi përmes një deklarate në Instagram se e kishte marrë atë. Megjithatë, në atë kohë nuk ishte bërë e ditur nëse certifikata ishte përdorur për udhëtim.
Tash, udhëtimi i tij me Arsenalin në SHBA në verën e vitit 2022 ka ngritur pikëpyetje të reja rreth përdorimit të saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


