Friday, September 25, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | U premtuan punë, u detyruan të ofronin seks – Supremja...

LEX | U premtuan punë, u detyruan të ofronin seks – Supremja lë në fuqi burgimin për pronarin e stript-klubit

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e Dodë Ricës, duke lënë në fuqi dënimin prej 5 vjetësh e 6 muajsh burgim ndaj pronarit të “Cyborg Club-Strip”, i njohur edhe si “Shqiponja Club”.

Rasti përfshin gra nga Amerika Latine, të cilat, sipas aktakuzës dhe dëshmive të pasqyruara në raportimin e Insajderit, ishin sjellë në Kosovë për punë dhe më pas ishin shfrytëzuar seksualisht, nën arsyetimin se duhej të shlyenin shpenzimet e udhëtimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur aktgjykimin dënues në korrik të vitit 2025. Përveç burgimit, Ricës i ishin shqiptuar 3 mijë euro gjobë dhe ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së biznesit për pesë vjet. Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Bashkë me të, në këtë rast akuzohet edhe Ana Gjoshi, e cila, sipas raportimit, ndodhet në arrati.

Sipas aktakuzës, Gjoshi siguronte kontaktet me gratë përmes rrjeteve sociale, ndërsa Rica u dërgonte ftesat për ardhjen e tyre. Udhëtimi organizohej nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, prej nga gratë silleshin në Prishtinë dhe strehoheshin në një shtëpi të marrë me qira nga Rica.

Prokuroria pretendonte se, pas mbërritjes, Gjoshi ua merrte pasaportat, ndërsa lëvizjet e tyre kontrolloheshin dhe ambientet ku qëndronin monitoroheshin me kamera.

Nën pretekstin e shlyerjes së “borxhit” për biletat, ato detyroheshin të zhvisheshin në lokal dhe të ofronin shërbime seksuale me pagesë në hapësirat private.

Njëra nga të dëmtuarat kishte deklaruar se ishte angazhuar si valltare, por më pas ishte detyruar të kryente marrëdhënie me klientë. Sipas saj, për dhjetë minuta në dhomë klienti paguante 150 euro, ndërsa ajo merrte vetëm 20 euro.

E njëjta kishte përshkruar frikën se mund të rrihej nëse refuzonte, duke iu referuar dhunës që, sipas saj, kishte përjetuar një kolege. Ajo kishte deklaruar edhe se në lokal i ishte ofruar drogë.

Një tjetër e dëmtuar kishte treguar se i kërkohej të shlyente 2 mijë e 300 euro për udhëtimin nga Kolumbia. Sipas dëshmisë së saj, kishte nënshkruar një kontratë në gjuhën shqipe, të cilën nuk e kuptonte, ndërsa mbajtja e pasaportës ia kufizonte mundësinë për t’u larguar.

Ajo kishte deklaruar se, kur kishte tentuar të largohej, i ishte thënë se nuk kishte pasaportë dhe se policia ishte e “blerë”.

Në kërkesën drejtuar Supremes, mbrojtja kishte kundërshtuar dëgjimin e viktimave gjatë procedurës së Mundësisë Hetuese të Veçantë, pasi Rica nuk kishte qenë i pranishëm.

Sipas arsyetimit të gjykatës të pasqyruar në raportim, kjo procedurë ishte e nevojshme për shkak të rrezikut që të dëmtuarat, si shtetase të huaja, të largoheshin nga Kosova. Rica në atë periudhë ndodhej në arrati, ndërsa mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare kishte marrë pjesë në dëgjime dhe u kishte parashtruar pyetje.

Supremja kishte refuzuar edhe pretendimin lidhur me mungesën e licencës së përkthyesit, duke vlerësuar se nuk ishin evidentuar pasaktësi konkrete që cenonin të drejtat e mbrojtjes.

Gjykata kishte theksuar se fajësia nuk ishte mbështetur vetëm në deklaratat e të dëmtuarave, por edhe në ftesat e përgatitura nga Rica, dëshmitë për marrjen me qira të objekteve, raportet e vëzhgimit policor dhe incizimet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT