Wednesday, August 5, 2026
spot_img
HomeLajme“Qiti krejt paret” – grabitje me thikë në Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj...

“Qiti krejt paret” – grabitje me thikë në Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet S.M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Grabitja”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesë, ngjarja ka ndodhur më 2 gusht 2026, rreth orës 01:30 pas mesnate, në hyrje të një banese në Gjakovë. I dyshuari, dyshohet se duke përdorur forcën dhe një thikë, ka kanosur një person tjetër me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, transmeton Klankosova.tv.

Prokuroria pretendon se i dyshuari i është afruar të dëmtuarit dhe i ka kërkuar që t’i dorëzonte paratë, duke e kërcënuar me thikë. Nga frika e kanosjes, viktima fillimisht i ka dhënë 20 euro, ndërsa më pas edhe 30 euro të tjera.

Sipas njoftimit, pas përpjekjes së të dëmtuarit për t’u larguar, i dyshuari dyshohet se e ka penguar fizikisht dhe më pas e ka ndjekur. Ndërhyrja e një dëshmitareje, me inicialet E.R., ka bërë që situata të ndërpritet.

Sipas kërkesës ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.M. më datë 02.08.2026 rreth orës 01:30 minuta pas mesnate në Gjakovë, saktësisht tek hyrja e banesës së dyqanit “V…” me përdorimin e forcës dhe mjetit të rrezikshëm-thikë për të sulmuar jetën dhe trupin e personit tjetër, me qëllim që vetes ti sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të dëmtuarit A.M. në atë mënyrë që ditën kritike, derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në ndërtesën ku gjendet banesa e tij, i pandehuri i afrohet dhe fillimisht i drejtohet me fjalët: “hajde këtu e qiti krejt paret qe i ki” dhe pasi i dëmtuari i përgjigjet: “për çka me ti qit’’ i pandehuri e nxjerr nga xhepi një thikë të cilën ja afron tek barku i të dëmtuarit dhe e kanos “qiti paret” ku nga frika e kanosjes, i dëmtuari fillimisht i’a dorëzon 20 euro, më pas i pandehuri ka vazhduar ta kanosë duke i thënë: “qiti krejt paret çka i ki” me ç’rast i dëmtuari i ka dorëzuar edhe 30 euro të tjera, i dëmtuari tenton të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa i pandehuri e pengon duke e kapur për qafe, i dëmtuari është liruar duke e shtyrë të pandehurin dhe largohet me vrap, i pandehuri e ndjek dhe në ato momente arrin dëshmitarja E.R. ndërhyn dhe e ndalon të pandehurin, i cili më pas i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët kanosëse: “ti ke me e pagu shtrejt këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon” dhe më pas i dëmtuari arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe rastin e raporton në polici ndërsa i pandehuri largohet në drejtim të panjohur dhe gjendej në arrati, i cili pas punës operative nga zyrtarët policor është arrestuar” thotë Prokuroria, transmeton Klankosova.tv.

I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga 3 gushti, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT