Një video e publikuar në TikTok, ku shihej një person duke shtënë me armë, ka çuar Policinë deri te identifikimi i të dyshuarit dhe sekuestrimi i armës në fshatin Shkabaj të Prishtinës, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Faton Krasniqi 27-vjeçar.
Rasti është zbuluar më 14 gusht, rreth orës 07:20, pasi përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” është dërguar një informatë së bashku me video-incizimin, i cili ishte publikuar një ditë më parë në TikTok.
Në pamjet e publikuara, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personi shihej duke shtënë me armë në rrugën “Ukë Mavriqi”, në Shkabaj.
Pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në lokacion, ku kanë gjetur katër gëzhoja. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe hetuesit dhe Forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe kanë sekuestruar provat.
Veprimet e mëtejshme hetimore kanë çuar në sigurimin e prezencës së Faton Krasniqit, ndërsa Policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz, një karikator dhe 13 fishekë të kalibrit 9 mm me gaz.
Krasniqi është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit, ndërsa rasti është iniciuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim të armës”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


