Paris Saint-Germaini ka shënuar gol të hershëm për të hapur rrugën drejt finales së madhe të Ligës së Kampionëve.
Parisi barazoi me Bayernin me rezultatin 1:1, të mërkurën mbrëma në Mynih. Dhe me rezultatin e përgjithshëm, 6:5, skuadra e Luis Enriques siguroi finalen e garës elitare evropiane. Finalja PSG – Arsenal do të luhet më 30 maj në “Pushkash Arena” bë Budapest.
Është fituesi i “Topit të Artë”, Ousmane Dembele që e kaloi në epërsi Parisin me golin e minutës së tretë. Ai realizoi me goditje të saktë nga zona, pas një pasimi të Khvicha Kvaratskhelia.
Gola të tjerë nuk kishte në pjesën e parë. Por ka pasur plot momente dramatike. Protagonist ishte edhe arbitri nga Portugalia, Joao Pinheiro, me disa vendime që tifozët gjermanë ndien se shkuan kundër Bayernit. Në pjesën e parë kampioni gjerman ka kërkuar penallti për lojë me dorë në zonë. Madje edhe shumë njohës të futbollit vlerësuan se penalltia ka ekzistuar, por arbitri portugez gjykoi ndryshe.
Në pjesën e dytë bavarezët kanë kërkuar vazhdimisht golin e barazimit, por pa krijuar shumë raste konkrete për shënim. Fare në fund, në minutën e 94-t, Harry Kane shënoi gol të bukur për rezultatin final të ndeshjes, 1:1.
Ndërkohë parisienët përmes kundërsulmeve u shfaqën shumë të rrezikshëm. Manuel Neuer, për dallim nga ndeshja e parë, shfaqi formë të lartë dhe shpëtoi shumë herë Bayernin.
Nuk kishte shumë gola e spektakël futbolli si në Paris, por fituesi në fuqi mori rezultatin që i duhej për vend në finalen e dytë rresht.
Në përgjithësi Parisi për herë të tretë luan në finalen evropiane. Për herë të parë luajti në vitin 2020, kur u mposht pikërisht nga Bayerni.
Bayerni mbetet me gjashtë tituj të Evropës, të fundit në vitin 2020, dhe me pesë finale të tjera. Bayerni ka siguruar titullin e Gjermanisë, ndërsa do të luajë edhe në finale të kupës gjermane.
Fituesi i Championsit këtë edicion do të jetë nga Franca apo Anglia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


