Rezultatet e PISA 2025 e kanë rikthyer arsimin e Kosovës në qendër të kritikave, me nxënësit kosovarë që kanë shënuar rezultate ndër më të dobëtat në mesin e vendeve pjesëmarrëse.
Kosova renditet pothuajse në fund të listës, madje me rezultate më të dobëta se Palestina, e cila përballet me një betejë ekzistenciale.
Më shqetësues është fakti se nxënësit kosovarë kanë shënuar rezultate më të dobëta në matematikë, lexim dhe shkencë krahasuar me gjeneratat që iu nënshtruan testimit para një dekade.
Pra, pavarësisht viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, arsimi në Kosovë jo vetëm që nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm, por në disa tregues ka bërë hapa prapa.
Një prej episodeve që rikthehet në vëmendje është debati rreth doracakëve për edukimin seksual, të përpiluar gjatë kohës kur ministre e Arsimit ishte Arbërie Nagavci.
Doracakët e edukimit seksual
Doracakët e përpiluar gjatë kohës sa ministre ishte Arbërije Nagavci, përmbanin gjuhë të papërshtatshme dhe tekst të pakoordinuar. Pas hulumtimeve gazetareske, doli se shumica e “librave” ishin përkthyer nga disa botime të shkollave private në Gjermani.
Në njërin prej doracakëve, një nga kapitujt mbante titullin “Lojërat seksuale në role”.
Aty thuhet: “Lojërat në role, me përmbajtje seksuale janë një fushë e rëndësishme e ushtrimit për nxënës në kontakt më të barabartët. Lojërat me mjekë, lojërat Baba-Nënë-Fëmijë apo lojërat seksuale të tjera në role mundësojnë në njërën anë, së bashku të bëjnë “udhëtime zbuluese” të trupit, dhe në anën tjetër duke luajtur t’i përpunojnë dhe t’i zbatojnë ndikimet mediale, kështu që, -Të guxosh. Ta provosh-Vet, inkurajon role të ndryshme të të bërit i pavarur.”
Një tjetër kapitull trajtonte atë që në doracak quhej “Fjalori sekusal”.
“Fëmijët e kopshteve, nxënësit, adoleshentët, veç kanë “shprehje”(në fjalorin e tyre), ku shpesh dhe me shumë kënaqësi përdorin ndonjë shprehje “të ndyrë”. Shpesh nuk ua dinë kuptimin e tyre, por bëjnë prova, se si reagojnë të tjerët në këtë. Ndonjëherë dëshirojnë vetëm të provokojnë.” – thuhet aty.
Përdorimi i shprehjeve të tilla dhe formulimet e tekstit ngritën pikëpyetje për mënyrën se si ishin përkthyer dhe përshtatur këto materiale për sistemin arsimor në Kosovë.
Debati u zgjerua edhe rreth aktiviteteve të parapara në klasë.
Aktiviteti në klasë
Në materialet e publikuara thuhej: “Praktikimi i vendosjes së kondomit në model ose në banane, gara në mes të nxënësve kush po e përfillë secilin hap. Të provojnë të blejnë kondom dhe ta shpjegojnë reagimin e shitësit.” – thuhet në kurrikulë.
Pas debatit të madh publik, MASHTI kishte njoftuar se do t’i rishikonte materialet për edukimin seksual, të cilat më pas u tërhoqën nga përdorimi.
Vetë ministria atëbotë kishte pranuar se në disa materiale arsimore kishte probleme serioze.
“Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore”, thuhej në reagimin e MASHTI-t.
Ky episod u bë një prej rasteve më të diskutuara publike lidhur me punën e Ministrisë së Arsimit gjatë mandatit të Arbërie Nagavcit.
Ndërkohë, kritikat sot marrin një dimension tjetër, në një kohë kur rezultatet e PISA-s tregojnë se problemet themelore të sistemit arsimor mbeten te njohuritë bazë të nxënësve.
PISA 2025 – rezultatet që alarmuan për arsimin
Rezultatet e PISA 2025 paraqesin një pamje alarmante të arsimit në Kosovë, me rezultate ndër më të dobëtat mes 91 vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse.
Nxënësit kosovarë morën mesatarisht 357 pikë në shkencë, 350 në matematikë dhe vetëm 340 pikë në lexim. Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, mesatarja ishte 359 pikë.
Të gjitha këto rezultate janë dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së, sipas raportit zyrtar për Kosovën.
Regresi më i fundit është evidentuar në matematikë. Krahasuar me PISA 2022, rezultati i Kosovës ra për pesë pikë. Leximi ra për dy pikë, ndërsa shkenca mbeti statistikisht e pandryshuar.
Megjithatë, krahasimi me vitin 2018 është edhe më shqetësues. OECD-ja konstaton se Kosova ka rezultate më të ulëta në të tria fushat: matematikë, lexim dhe shkencë.
85 për qind nën nivelin bazë në matematikë
Gjendja më e rëndë paraqitet në matematikë.
Vetëm 15 për qind e nxënësve kosovarë arritën së paku nivelin bazë të aftësisë. Për krahasim, mesatarja e OECD-së ishte 65 për qind.
Kjo nënkupton se 85 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë nuk mund ta përmbushnin as standardin minimal të matematikës të përcaktuar nga PISA.
Në këtë nivel minimal, nxënësi duhet të jetë në gjendje ta paraqesë matematikisht një situatë të thjeshtë, si krahasimi i distancave ose konvertimi i çmimeve.
Edhe në lexim situata është pothuajse po aq e rëndë.
Vetëm 16 për qind e nxënësve arritën nivelin bazë, kundrejt mesatares prej 69 për qind në OECD.
Pra, 84 për qind mbetën nën nivelin që kërkon identifikimin e idesë kryesore në një tekst mesatar dhe gjetjen e informacionit sipas kritereve të përcaktuara.
Në shkencë, vetëm 21 për qind arritën nivelin minimal, ndërsa mesatarja e OECD-së ishte 74 për qind.
Pothuajse asnjë nxënës kosovar nuk arriti nivelet më të larta.
Në përgjithësi, 73.8 për qind e nxënësve kosovarë rezultuan nën nivelin bazë në të tri fushat njëkohësisht, ndërsa përqindja e nxënësve me performancë të lartë ishte praktikisht zero.
Regresi krahasuar me vitin 2015
Tendenca afatgjatë paraqitet qartësisht negative.
Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve me rezultate të dobëta është rritur për shtatë pikë përqindjeje në matematikë dhe lexim.
Në shkencë, rritja e nxënësve nën nivelin bazë arrin në 11 pikë përqindjeje, që përbën regresin më të madh ndër tri fushat kryesore.
Ndërmjet viteve 2022 dhe 2025 është zgjeruar edhe hendeku mes 10 për qind të nxënësve më të mirë dhe 10 për qind të më të dobëtve në matematikë.
Problemet shfaqen edhe në vijueshmërinë e mësimit.
Rreth 54 për qind e nxënësve deklaruan se kishin munguar së paku një ditë gjatë dy javëve para testimit. Në vitin 2022 kjo përqindje ishte 51 për qind, ndërsa më 2018 ishte 46 për qind.
Edhe mungesat në orë u rritën nga 48 në 56 për qind.
Raporti regjistron rënie edhe të mbështetjes familjare. Vetëm 50 për qind e nxënësve diskutonin çdo javë me prindërit për problemet në shkollë, nga 65 për qind më 2022.
Mbështetja e mësimdhënësve në shkencë gjithashtu është dobësuar krahasuar me vitin 2015. Raporti evidenton rënie të ndihmës shtesë dhe të përpjekjeve për t’u siguruar se nxënësit e kuptojnë mësimin.
6 mijë e 632 nxënës morën pjesë në testim
Në testimin PISA 2025 morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës nga 213 shkolla, të cilët përfaqësojnë rreth 19 mijë e 900 kosovarë të moshës 15-vjeçare.
Rezultatet e këtij testimi kanë evidentuar një problem të thellë me njohuritë bazë të nxënësve kosovarë, vijueshmërinë në mësim dhe mbështetjen që marrin nga familja dhe mësimdhënësit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


