Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Edison Limani, zyrtar policor, për shkak të dyshimit të veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm“ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar që nga muaji Janar 2026, në territorin e komunës së Shtërpcës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ka organizuar lojëra të fatit për të cilat nuk është dhënë leja e organit kompetent, ashtu që organizon online këto lojëra përmes faqes “888verona.club”, i cili i ka dërguar kredi ne account (llogari) të të demtuarit M.R., dhe deri më tani borxhi i akumuluar përmes këtyre lojrave te fatit i është grumbulluar 14 mijë e 500 euro, ndërsa 2 mijë euro i’a ka dhënë dhe tani ka presion nga i pandehuri që t’ia jep edhe 12 mijë e 500 euro. Andaj, sipas Prokurorisë, i njëjti me këto veprime do të kryente veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 paragrafi 2 të KPRK- së.
Ndërkaq siç thuhet në njoftim: “I pandehuri që nga data 16 Prill 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur“.
Në lidhje për këtë rast Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


