Dylber Shuli i mbylli sytë me një peng që e kishte shoqëruar për më shumë se një dekadë. 90-vjeçari nga Zagorçani i Pogradecit vdiq pa mundur të shihte edhe një herë pesë nipërit dhe mbesat e tij, të cilët prej vitesh kanë mbetur në kampet e Sirisë.
“Kam shpresë deri sa të vdes”, thoshte ai në një prej intervistave të shumta ku i kërkonte shtetit shqiptar të ndërhynte për kthimin e fëmijëve. Dhe deri në fund, Shuli e mbajti gjallë këtë shpresë. Sa herë që nga Siria njoftohej një operacion riatdhesimi, ai priste që mes emrave të të kthyerve të ishin edhe ata të familjes së tij, raporton ReportTV.
Historia e familjes Shuli nisi në vitin 2013, kur djali i Dylberit, Krenar Shuli, u largua drejt Sirisë së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Vitet që pasuan do ta kthenin këtë udhëtim në një dramë të gjatë familjare. Pas vdekjes së prindërve, fëmijët mbetën në kampet e Sirisë, pa mundur të ktheheshin në Shqipëri.
Vajza më e madhe, Elona, ishte ende e mitur kur u martua në Siri, ku më pas solli në jetë edhe një fëmijë. Ndërkohë, në Zagorçan, gjyshi i tyre nuk reshti së kërkuari ndihmë.
Për vite me radhë, Dylber Shuli trokiti publikisht në dyert e institucioneve përmes apeleve në media. Kërkesa e tij ishte vetëm një: nipërit dhe mbesat të nxirreshin nga kampet siriane dhe të silleshin në shtëpi.
Shpresa ringjallej sa herë Shqipëria zhvillonte operacione riatdhesimi. Në vitin 2020 u kthyen nga Siria pesë persona, mes tyre katër fëmijë. Dy vite më vonë, në vitin 2022, u riatdhesuan edhe 13 shtetas shqiptarë, nëntë prej të cilëve të mitur. Por asnjëherë mes tyre nuk ishin fëmijët që Dylberi priste.
Edhe kthimi në Shqipëri i Eva Dumanit në shkurt të këtij viti kishte bërë që ai të besonte sërish se radha e nipërve dhe mbesave të tij mund të vinte. Deri pak muaj më parë ndiqte çdo lajm që vinte nga Siria, çdo njoftim për negociata apo operacione të mundshme dhe çdo sinjal që mund ta afronte me ditën që kishte pritur për kaq shumë vite.
Por ajo ditë nuk erdhi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


