Monday, August 31, 2026
spot_img
HomeLajmePrishtina do ta krijojë ndërmarrjen e vet publike për pastrim

Prishtina do ta krijojë ndërmarrjen e vet publike për pastrim

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Kryeqyteti do të krijojë një ndërmarrje të re publike komunale për menaxhimin e pastrimit.

Sipas Ramës, sistemi aktual i Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, në të cilën bëjnë pjesë edhe Obiliqi, Fushë-Kosova, Lipjani, Podujeva dhe Drenasi, nuk po u përgjigjet më nevojave të kryeqytetit.

Ai tha se Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet, por procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së një nënshkrimi.

“Çmimin e këtij bllokimi nuk e paguan ministri. E paguajnë qytetarët e Prishtinës”, shkroi Rama në Facebook.

Kryetari i Prishtinës bëri të ditur se gjatë kësaj jave është zhvilluar një takim me kryetarët e komunave që janë pjesë e kompanisë rajonale, menaxhmentin dhe punëtorët e saj, pas të cilit është marrë vendimi për krijimin e ndërmarrjes së re.

Rama siguroi se punëtorët e Kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë, por do të përfshihen në sistemin e ri.

Ai theksoi se, falë Ligjit për Kryeqytetin, krijimi i ndërmarrjes nuk kërkon pëlqimin e Qeverisë.

“Qytetarët nuk mund të presin dhe Prishtina nuk mund të mbahet peng. Kur një zgjidhje bllokohet, ne kemi përgjegjësi të krijojmë një tjetër”, deklaroi Rama.

Sipas tij, ndërmarrja e re synon t’i sigurojë kryeqytetit kapacitetet e nevojshme dhe qytetarëve një Prishtinë më të pastër.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT